18/01/2024
Më 12 Janar 2024, në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës është publikuar Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore [Nr.08/L-257]. Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit.
Ky Ligj rregullon procedurat për administrimin e detyrimeve tatimore në Republikën e Kosovës që janë në fushëveprimin e ATK-së, si dhe parimet e organizimit dhe të funksionimit të ATK.
1. Mbajtja e dokumentacionit
Një person i cili ka detyrë të krijojë regjistra sipas këtij Ligji, mban ato regjistra për një periudhë prej së paku gjashtë (6) vite pas përfundimit të periudhës tatimore kur ka lindur një detyrim i tillë tatimor përkatës
Regjistrat që lidhen me pasuritë që janë të zhvlerësueshme gjatë një periudhe prej më shumë se gjashtë (6) vjet, duhet të mbahen për jetëgjatësinë e zhvlerësueshme të pasurive, plus një vit shtesë
Regjistrat që lidhen me shërbimet elektronike duhet të mbahen për një periudhë prej së paku dhjetë (10) vite pas përfundimit të periudhës tatimore kur janë ofruar shërbimet elektronike.
Regjistrat që lidhen me transaksionet e arit të investueshëm duhet të mbahen për një periudhë prej së paku dhjetë (10) vite.
2. Transakisionet 300€ dhe 100€
Çdo transaksion mbi treqind euro (300€) i bërë në mes të personave të përfshirë në aktivitet ekonomik, kërkohet të bëhet përmes llogarisë bankare dhe/ose formave tjera të pagesës në mënyrë elektronike.
Në rastet kur transaksioni është në vlerë mbi njëqind euro (100€), por i cili pjesërisht paguhet me para dhe pjesa tjetër me kompensim, pagesa e paguar me para kërkohet të bëhet përmes llogarisë bankare dhe/ose formave tjera të pagesës në mënyrë elektronike.
3. Rroga
Çdo pagë që i paguhet të punësuarit, kërkohet të bëhet përmes një institucioni financiar të licencuar.
Çdo punëdhënës duhet të informojë ATK për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit. Ky informim bëhet në formën e përcaktuar nga ATK.
4. Password-i
ATK-së i lejohet qasja e lirë në libra, regjistra, kompjuterë dhe pajisje të tjera për ruajtjen e regjistrave. Administrata Tatimore e Kosovës sipas këtij Ligji ka të drejtë të kërkojë dhënien e fjalëkalimit që mbron informatat në pajisjen e teknologjisë informative për ruajtjen e regjistrave;
5. Këshilltari Tatimor
Krijohet pozita e këshilltarit tatitmor
Këshilltari Tatimor është person me trajnim të avansuar dhe njohuri të legjislacionit tatimor dhe ndihmon tatimpaguesin gjatë procedurave tatimore në mënyrë që që deklaratat tatimore të jenë në përputhje me legjislacionin tatimor dhe përfitojnë nga zbritjet dhe rimbursimet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
ATK bën licensimin e Këshilltarëve Tatimor pas përfundimit të trajnimit dhe testimit të suksesshëm.
Ministri nxjerrë akt nënligjor për kriteret, rregullat dhe procedurat për zbatim.
6. Vetë-vlerësimi, Kreditimet dhe rimbursimet
Tatimpaguesi mund të dorëzojë një ndryshim të deklaratës tatimore, brenda tre (3) viteve pas datës obligative kur deklarata është kërkuar të dorëzohet fillimisht, nëse më vonë zbulon gabim në deklaratën tatimore të cilën e ka dorëzuar paraprakisht.
Kërkesa për kreditim ose rimbursim për një pagesë të tepërt të çfarëdo lloji të tatimit mund të dorëzohet brenda tre (3) vitesh nga data kur është paguar tatimi apo kur ka lindur e drejta e zbritjes.
7. Embargo në importe dhe eksporte
Në çdo rast kur një person i cili është i detyruar të paguaj ndonjë tatim, nuk e paguan brenda dhjetë (10) ditëve pas dorëzimit të njoftim-vlerësimit, ose kur ATK konsideron se pagesa e tatimit është në rrezik sipas nenit 35 të këtij Ligji, ATK mund të kërkojë nga Dogana e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: DK) që të vendosë embargo në kalimet e çdo importi apo eksporti nga ai person.
8. Librat tregtar
Të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe aktivitete tjera, duhet të dorëzojnë në ATK, në mënyrë elektronike librin e blerjes dhe librin e sh*tjes, si:
Personat që janë të regjistruar për TVSh, dorëzojnë librat çdo muaj;
Personat tjerë, dorëzojnë librat çdo tre muaj.
9a. Gjobat lidhur me mosdeklarim
Kur një person nuk e dorëzon një deklaratë tatimore të obligueshme sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës në afatin e përcaktuar, e cila rezulton me detyrim tatimor, i nënshtrohet gjobës prej:
pesëdhjetë euro (50.00€) për personin fizik afarist, për çdo deklaratë të pa deklaruar;
njëqindepesëdhjetë euro (150.00€) për personin juridik, për çdo deklaratë të pa deklaruar;
njëzet euro (20.00€) për personin fizik jo afarist, për çdo deklaratë të pa deklaruar.
9b. Sanksionet për mos dorëzim, mos krijim ose mos paraqitje të të dhënave
Çdo person nga i cili kërkohet të krijojë ose mbajë regjistrime, përfshirë kërkesën për të vendosur numrin fiskal apo numrin unik identifikues të biznesit në të gjithë kuponët dhe faturat e lëshuara, sipas legjislacionit të zbatueshëm në Republikën e Kosovës dhe i cili nuk e kryen këtë, i nënshtrohet gjobës, si vijon:
gjobë prej njëqindepesëdhjetë euro (150.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor deri në tridhjetëmijë euro (30,000.00€);
gjobë prej dyqindepesëdhjetë euro (250.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor nga tridhjetëmijë euro e një cent (30,000.01€) deri në dyqindëmijë euro (200,000.00€);
gjobë prej pesëqind euro (500.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor nga dyqindmijë euro e një cent (200,000.01€) deri në pesëqindmijë euro (500,000.00€);
gjobë prej njëmijë euro (1,000.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor nga pesqindmijë euro e një cent (500,000.01€) deri në pesëmilion euro (5,000,000.00€); dhe
gjobë prej dymijë euro (2,000.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor prej pesëmilionë euro e një cent (5,000,000.01€) e më shumë.
9c. Gjobat lidhur me mosinstalimin e PEF/SF
Çdo person nga i cili kërkohet të përdor PEF/SF për regjistrimin e të gjitha transaksioneve të bëra gjatë aktivitetit të tij ekonomik, i cili nuk ka instaluar PEF/SF, për çdo shkelje të tillë i nënshtrohet gjobave, si në vijim:
gjobë prej dyqindepesëdhjetë euro (250.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor deri në tridhjetëmijë euro (30,000.00€);
gjobë prej pesëqind euro (500.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor nga tridhjetëmijë euro e një cent (30,000.01€) deri në dyqindëmijë euro (200,000.00€);
gjobë prej njëmijë euro (1,000.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor nga dyqindmijë euro e një cent (200,000.01€) deri në pesëqindmijë euro (500,000.00€);
gjobë prej dyëmijë euro (2,000.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor nga pesqindmijë euro e një cent (500,000.01€) deri në pesëmilion euro (5,000,000.00€); dhe
gjobë prej tremijë euro (3,000.00€) për tatimpaguesin me qarkullim vjetor prej pesëmilionë euro e një cent (5,000,000.01€) e më shumë.
10. Malli n’t’zezë
Ka gjoba rigoroze për mallrat pa dokumentacion (pa origjinë, malli n’t’zezë)
Kur një person i angazhuar në aktivitet ekonomik posedon mallra pa dokumentacion për blerjen e tyre, ai person i nënshtrohet gjobës prej tridhjetëpërqind (30%) të vlerës së tregut të atyre mallrave.
Mallrat pa dokumentacion mund të merren dhe të mbahen në kujdestari të ATK me qëllim të caktimit të detyrimit penal.
11. Tjera
Ky ligj rregullon edhe çështje tjera:
Ankesat në Administratën Tatimore të Kosovës
Avokati i Tatimpaguesve
Standardet Profesionale
Ankesat në Bord
Me këtë ligj shfuqizohet Ligji bazë dhe plotësim ndryshimet e tij: 03/L-222, 04/L-102, 04/L-223.
Shtesë:
1. Ligji i plotë në PDF është i bashkëngjitur në këtë e-mail.
2. Ligji në Gazetë Zyrtare të Republikës së Kosovës:
Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës,Official Gazette of the Republic of Kosova,Službeni List Republike Kosova,Kosova Cumhuriyeti Resmi Gazetesi