28/09/2026
❓ Pyetje:
Një biznes ekzistues është duke ndërtuar një hotel. Ndërtimi ka filluar vitin e kaluar dhe pritet të përfundojë rreth mesit të vitit 2026. Për qëllime tatimore, a duhet që shpenzimet e zhvlerësimit të njihen vetëm pasi të përfundojë ndërtimi plotësisht dhe hoteli të vihet në funksion, apo edhe gjat ndertimin per pjesen qe eshte perfunduar kete vit? Ju faleminderit paraprakisht për përgjigjen tuaj!
✅ Përgjigje
Neni 20 i Ligjit nr. 05/L-028 për Tatimin në të ardhurat Personale, përcakton zhvlerësimin:
“1. Shpenzimet për pronën e prekshme përveç shpenzimeve për tokën, veprat artistike dhe pronën tjetër e cila nuk konsumohet që i posedon tatimpaguesi dhe që shfrytëzohen për aktivitete ekonomike të tatimpaguesit, do të kompensohen me kalimin e kohës përmes zbritjeve të zhvlerësimit në mënyrën e përcaktuar me këtë nen.
Shpenzimet për përmirësimin e pronave me qira të cilat përdoren për aktivitete ekonomike të tatimpaguesit do të kompensohen përmes zbritjeve të zhvlerësimit të llogaritura me metodën lineare për periudhën e kohëzgjatjes së qirasë.
E gjithë prona e prekshme e tatimpaguesit që i nënshtrohet zhvlerësimit sipas këtij nenit caktohet në njërën prej kategorive vijuese:
3.1. Kategoria 1 – Ndërtesat dhe strukturat tjera ndërtimore;
3.2. Kategoria 2 – Automobilat dhe kamionët e lehtë, mjetet e rënda për transport, pajisjet për bartje të dheut, buldozerët, gërmuesit e dheut dhe mjetet tjera të rënda, kompjuterët, pjesët shtesë për kompjuterë dhe pajisjet tjera për përpunimin e të dhënave, mobiliet dhe pajisjet për zyra, instrumentet, gjërat e ndryshme dhe pajisjet tjera shtesë, dhe bagëtitë të shfrytëzuara për prodhim ose për mbarështim;
3.3. Kategoria 3 – Uzinat dhe makineria; inventari i hekurudhës dhe lokomotivat që shfrytëzohen për transportin hekurudhor; aeroplanët; anijet dhe bimët shumë vjeçare dhe shkurret e shfrytëzuara për vreshtari ose për prodhimin e frutave si p.sh. mollë, dardha, arra, boronica dhe të tjera; dhe të gjitha asetet e prekshme që nuk janë përfshirë në Kategorinë 1 apo Kategorinë 2 të këtij paragrafi.
Shuma e lejuar si zbritje për zhvlerësim në periudhën tatimore përcaktohet duke aplikuar përqindjet e mëposhtme në mënyrë individuale të pronës së prekshme individuale sipas metodës lineare në fund të periudhës tatimore sipas kategorisë si cilës i përkasin asetet:
4.1. Kategoria 1 – pesë përqind (5%);
4.2. Kategoria 2 – njëzet përqind (20%); dhe
4.3. Kategoria 3 – dhjetë përqind (10%).
Një pasuri për aspekte zhvlerësimi merret parasysh kur vihet për herë të parë në përdorim.”
Tatimpaguesi i cili tatohet në bazë të të ardhurave reale, mund të njohë zhvlerësimin për pasurinë e prekshme e cila është në emër të biznesit dhe shfrytëzohet për aktivitetin e biznesit. Zhvlerësimi bëhet sipas Kategorisë së cilës i përkasin asetet, siç është përcaktuar në nenin 20 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Sipas nenit 20, paragrafit 5 të Ligjit, pasuria për qëllime të zhvlerësimit merret parasysh vetëm kur ajo është vënë në përdorim. Pra, vetëm nëse pasuria është vënë në përdorim, atëherë mund të njihet zhvlerësimi.